Lajme

Vuçeviq: Për Kurtin është shënjestër çdokush që e mbron Serbinë në lidhje me Kosovën

10/24/2023 12:12
nga:N K

Ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka thënë sot se shënjestra e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti është Serbia dhe të gjithë ata që janë në pozitë të mbrojtjes së vendit përkitazi me Kosovën.

“Gjithçka që thënë është kaq e pakuptimtë. Unë mund të jam përgjigjur pak më ashpër, por me të vërtetë mendoj se ai është problemi kryesor i të gjitha problemeve dhe ai është një tiran që po kryen terror mbi Kosovën”, ka thënë Vuçeviq në televizionin në shërbim të regjimit aktual serb “TV Përva” në përgjigje në pyetjen se a është habitur që Kurti e ka vënë në plan të parë si udhëheqës i klanit të Novi Sadit.

Vuçeviq ka përsëritur se Prishtina është “qendra e karteleve të drogës dhe të të gjitha grupeve kriminale”, dhe ka shtuar se “Kurti zbaton gjithë ato që kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka thënë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Gjithë kohën e keni narrativin e Kurtit se klanet kriminale janë pikërisht në komunitetet ku jetojnë serbët në Kosovë, aty janë koncentruar të gjitha aktivitetet dhe klanet kriminale që ata si “kuazi shtet” kanë të drejtë të sanksionojnë apo të luftojnë kundër tyre”, ka thënë ai.

Ai shtoi se fatkeqësisht këtë narrativë e pranon edhe një pjesë e skenës politike në Serbi.

“Fatkeqësisht, këtë narrativë e pranon edhe një pjesë e skenës politike në Serbinë qendrore, këtu në Beograd, dhe kështu e përkrahin Kurtin që ai të thotë: “Epo, këtë nuk e them vetëm unë, këtë e thonë edhe përfaqësues të disa partive politike serbe, dhe kjo i jep atij njëfarë legjitimiteti”, ka pretenduar Vuçeviq, duke tentuar t’i “zhvlerësojë” akuzat që vijnë nga opozita serbe se regjimi aktual serb është në lidhje të ngushtë me krimin e organizuar në Serbi.