Lajme

Vuçeviq: Kam përshtypjen se Kurti nuk mendon ta formojë Asociacionin

06/18/2024 09:37
nga:Y I

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq pas takimit të mbrëmshëm me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se përshtypja e tij është se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Kjo është përshtypja ime, nuk mund të them se është mesazh zyrtar i Miroslav Lajçakut, por kam krijuar përshtypjen se Kurti nuk mendon ta formojë Asociacionin. Deri në fund të këtij viti askush nuk e sheh as planin e aktiviteteve të tij në formimin e Asociacionit, kështu që nuk hyj në gjëra të përgjithshme, cila do të ishte përmbajtja e atij Asociacioni”, tha ai nga Athina ku edhe e zhvilloi këtë takim, raporton Tanjug.

Vuçeviq tha se nuk mund të thotë se është më optimist pas bisedës me Lajçakun apo se ka marrë disa garanci se Kosova ka vullnet shtesë për të qetësuar situatën në terren, por tha se Lajçak do të vizitojë Beogradin shumë shpejt dhe do të bisedojë me presidentin Aleksandar Vuçiq.