Lajme

Vriten dy anëtarë të një grupi kriminal në Podgoricë

11/06/2024 19:48
nga:G B

Në Mal të Zi, gjegjësisht në vendbanimin e quajtur Gorica e Epërme në Podgoricë, rreth orës 15:00 të ditës së sotme, dy persona kanë mbetur të vdekur nga të shtënat me armë zjarri.

Viktimat janë Petar Lipovina dhe Zharko Pejakoviq, të dy pjesëtarë të një grupi kriminal, sipas mediave malazeze.

Siç mëson transmetuesi publik malazez, tre persona të armatosur kanë qenë në një makinë tip Opel, nga e cila kanë dalë dhe kanë hapur zjarr ndaj një BMW-je në lëvizje.

Edhe Policia ka njoftuar zyrtarisht për të shtënat, duke thënë se në rrethrrotullimin në kryqëzimin e autostradës Podgoricë – Cetinje – Nikshiq, armë zjarri janë përdorur nga një ose më shumë persona të panjohur.

“Me atë rast kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët shumë shpejt kanë vdekur, ndërsa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në një pjesë tjetër të qytetit është gjetur një veturë e djegur e përdorur nga autorët. Policia po ndërmerr aktivitete intensive në kompetencë të tyre për ndriçimin e kësaj ngjarjeje, lokalizimin dhe ndjekjen penale të autorit apo autorëve”, është bërë e ditur nga Policia.

Sipas policisë, njëri nga viktimat është liruar nga paraburgimi më 25 tetor për shkak të mosdhënies së aktgjykimit të shkallës së parë brenda tre viteve për veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe vrasje të rëndë të kryer në dëm të B.M. në Cetinje.

Edhe i dyti i vrarë P.L u lirua nga burgu më 11 nëntor 2023, për shkak të mosdhënies së aktgjykimit të shkallës së parë brenda tre viteve.

“Vijesti” raporton se dyshohet se bëhet fjalë për vazhdimin e luftës mes klaneve kriminale Kavaç dhe Shkaljar.