Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Arsen Muskurtin, i cili akuzohet për vrasjen e vëllait dhe kunatës.
Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi pasditen e së martës në Tiranë brenda një agjencie imobiliare në zonën e “Myslym Shyrit”.
Arsen Muskurti u largua menjëherë nga vendngjarja dhe u arrestua pas dy orësh. Përmes avokatit, ai ka pretenduar se ka bërë shtatë kallëzime për vëllain dhe kunatën.
“Armën e kam patur me leje. Kallëzimin e fundit e kam bërë ditën e vrasjes”, ka deklaruar Muskurti.
Avokati kërkoi 30 ditë kohë për të bërë një akt për giendjen psikike, duke theksuar se klienti përdorte ilaçe.
Prej më shumë se 1 viti vëllezërit Muskurti ishin në një përballje gjyqësore për një shumë të konsiderueshme financiare në lidhje me pronësinë e një agjencie turistike, të krijuar bashkë vite më parë.
Në këtë proces civil viktima Dritan Muskurti në rolin e paditësit, kërkonte nga vëllai i tij Arsen, kthimin e një shumë prej më shumëse 17 milionë lekësh të rinj.


