Lajme

Vrasjet po tronditin Kosovën, eksperti i sigurisë tregon arsyet e akteve kriminale dhe si të veprohet

07/25/2022 14:55
nga:G B

Rastet e vrasjeve në Kosovë janë bërë të shpeshta.

Arsyet janë nga më të ndryshmet, që çojnë në krime të tmerrshme që po tronditin vendin.

Rasti i fundit ishte ai i të shtunës mbrëma, ku një person u vra në fshatin Baks të Skenderajt, e dy të tjerë mbetën të plagosur, raporton Gazeta Blic.

Viktima ishte një mërgimtar që kishte ardhur për pushime në Kosovë.

Lidhur me rastet e vrasjeve që po ndodhin vazhdimisht në vendin tonë, Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë për Gazeta Blic se vrasjet po ndodhin pasi qytetarët kanë filluar ta humbin besimin në drejtësi dhe disa po motivohen nga mos veprimi i shtetit që të kryejnë akte kriminale.

“Në lidhje me vrasjet që janë duke ndodhur këtyre muajve të fundit në territorin e Kosovës po e dëshmon faktin që qytetarët kanë filluar të humbasin besimin e tyre në sistemin juridik të vendit, i cili mund të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e tyre, si dhe në anën tjetër është duke i motivuar disa qytetarë të cilët marrin “guximin” nga mos veprimi i shtetit dhe kryejnë akte kriminale”, thotë Shala.

Sipas tij, ky problem është shndërruar në fenomen ndaj të cilit nuk është gjetur strategji.

“Ky problem në Kosovë sa i përket vrasjeve është shndërruar në një fenomen ndaj të cilit ende nuk është gjetur një strategji apo mënyrë për të parandaluar në masë më të madhe akte të tilla sepse jo rrallëherë marrin viktima edhe kalimtarë të rastit, të cilët qëllojnë në vend dhe kohë të gabuar”, vlerëson eksperti i sigurisë.

Sa i përket masave që duhet marrë, Shala për Gazeta Blic potencon se institucionet duhet të ndërmarrin veprime të ashpra të sigurisë.

“Institucionet e sigurisë duhet të marrin veprime edhe me të ashpra të sigurisë, duke bërë postblloqe të ndryshme në pika të caktuara ku ka frekuentim më të madh dhe të legjitimohen qytetarët por edhe të behet një kontroll më i rreptë i veturave duke kërkuar armë të ndryshme ilegale”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/