Lajme

Vrasjet në Vushtrri: Idrizi : Nuk mund t’i cilësojmë si neglizhencë të institucioneve

1 ditë më parë
nga:G B

Në mbledhjen urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas tri vrasjeve të rënda që tronditën qytetin e Vushtrrisë, janë marrë disa masa për rritjen e sigurisë.

Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, ka deklaruar për emisionin FIVE se janë nxjerrë disa konkluzione, duke përfshirë rritjen e masave të sigurisë dhe angazhimin e Drejtorisë së Arsimit për të organizuar takime të rregullta me prindërit e nxënësve, për të pasur më shumë kontroll mbi ta.

Ai ka theksuar gjithashtu kërkesën që patrullat e policisë të shtohen, veçanërisht në lokalet e frekuentuara.

Po ashtu, ai ka theksuar se nga përfaqësuesit e Bashkësisë Islame u kërkua që në ligjëratat e tyre të trajtohen çështje të tilla të ndjeshme që kanë tronditur qytetin në ditët e fundit.

“Nxorëm konkluzione që të shtohen masat e sigurisë, i dhamë obligim drejtorisë së arsimit të angazhohet në takime të rregullta me prindërit e nxënësve, sepse nuk i kemi mirë në kontroll. Mandej, u kërkua nga komandanti i stacionit policor që të shtohet patrulla e policisë sidomos ne lokalet e frekuentuar. Ndërsa nga përfaqësues të bashkësisë islame u kërkua domethënë që në ligjërata e tyre t’i trajtojnë këto çështje që janë shumë të ndjeshme dhe na kanë tronditur ditëve të fundit”, ka deklaruar Idrizi për emisionin FIVE.

Sa i përket pyetjes nëse institucionet kanë pasur neglizhencë në këto raste, Idrizi ka potencuar se këto krime ishin të paparashikueshme dhe nuk mund të cilësohen si neglizhencë e institucioneve, qofshin ato të rendit ose lokale.

“Nuk ka të bëj me neglizhencën e institucioneve, ato raste kanë qenë të paparashikueshme, nuk mund të drejtojmë gishtin tek institucionet sepse këto raste janë të papritura. Nuk është dashur të ndodhin, edhe mënyra si janë bërë këto vrasje, këto krime nuk mund t’i cilësojmë në asnjë mënyrë si neglizhencë e institucioneve, qoftë atyre të rendit, qoftë komunale”, ka deklaruar ai.