Lajme

‘Vrasjet janë shqetësimi kryesor i sigurisë për shqiptarët’

12/02/2021 22:48
nga:M K

Më shumë se gjysma e shqiptarëve (55,2%) besojnë se vrasjet janë krimi më shqetësues për vendin.

Në mënyrë dërrmuese, qytetarët e pyetur në vrojtimin e Barometrit të Euronews Albania, veçojnë vrasjen nga çdo lloj tjetër krimi.

Dhuna fizike ndaj personit vjen e dyta, por janë tre herë më të pakët në numër (12,8%) qytetarët që e shohin atë si shqetësimin kryesor të sigurisë së vendit.

Duket se qytetarët e shohin si jo shumë shqetësues trafikun e drogës—vetëm rreth 11% e tyre e cilësojnë atë si shqetësimin kryesor të sigurisë në vend.

Për sa i përket kërcënimit personal nga krimi, vjedhja konsiderohet si rreziku kryesor nga një e katërta e qytetarëve (25,4%).

Afërsisht një e katërta raporton frikën se mund të jenë viktimë e plagosjes me armë ose mjete të tjera si shqetësimin e dytë personal.

Vrojtimi i Barometrit u realizua për Euronews Albania nga MRB dhe Data Centrum në nivel kombëtar, me 1000 intervista ballë për ballë në familje, të zhvilluara në periudhën 20-30 nëntor 2021.