Lajme

Vrasjet e fundit në Vushtrri, Kryetari i Komunës thërret mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri

1 ditë më parë
nga:Y I

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka reaguar pas dy vrasjeve të fundit që ndodhën në Vushtrri.

Idrizi ka thënë se dy ditët e fundit në Kosovë kanë sjellur ndodhi tragjike të cilat na kanë prekur të gjithëve, teksa ka shprehur ngushëllime për humbjen e tre qytetarëve.

I pari i kësaj komune ka thënë se për shkak të vrasjeve të fundit, ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Vushtrrisë dhe të gjithë Republikës së Kosovës,

Dy ditët e fundit kanë sjellë ndodhi tragjike që na kanë prekur të gjithëve thellë. Si Kryetar i Komunës, nuk kam fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe shqetësimin që ndiej për humbjen e jetëve të tre qytetarëve të komunës tonë.

Ky ka qenë një moment shumë i vështirë për të gjithë ne dhe për komunitetin tonë. Për këtë arsye, direkt kam thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Në këto momente të vështira, ngushëllimet e mia shkojnë për familjarët e viktimave dhe për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë që po përjetojnë këtë dhimbje të papërshkrueshme. Organet e sigurisë po i trajtojnë këto dy raste dhe ne presim që drejtësia ta thotë fjalën e fundit.

Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.