Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prizren, ku një i mitur rreth 14-vjeç është therur me thikë dhe, përkundër përpjekjeve të mjekëve, ka ndërruar jetë.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi, ka konfirmuar për GazetaBlic se rasti ka ndodhur më 27 gusht, rreth orës 23:45.
Sipas Policisë, pas marrjes së informatës për rastin, patrulla policore ka dalë në vendngjarje, ku ka gjetur ekipin e Emergjencës duke i dhënë ndihmën e parë viktimës. I mituri është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por nuk ka arritur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Pak më larg vendngjarjes është identifikuar dhe arrestuar një 17-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në rast.
Gjatë kontrollit te i dyshuari, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, përfshirë hetuesit dhe ekipin e krim-teknikës, ndërsa rasti po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 24 orë.
Policia ka bërë të ditur se, për shkak të moshës, as viktima dhe as i dyshuari nuk kanë pasur raste të mëhershme të regjistruara në evidencat policore.
“Rasti mbetet nën hetim”- ka thënë Bytyqi.


