Lajme

Vrasja në tregun e Mitrovicës, 20 vjet burgim ndaj të akuzuarit

01/17/2025 11:45
nga:N K

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shefki Asllanit, duke e dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen e V.F., më 17 prill 2021 në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë.

Aktgjykimi u shpall të premten nga gjykatësja e rastit, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, Asllani u shpall fajtor për “Vrasje të rëndë” dhe u dënua me 20 vjet burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kurse, të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt civil.

Të akuzuarit i konfiskohet pistoleta , si mjet i kryerjes së veprës penale. Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

I akuzuari Asllani obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës sipas llogarisë së gjykatës. Në emër të ekspertizave dhe prezencës së ekspertëve në shqyrtim gjyqësor, në emër të paushallit gjyqësor obligohet të paguajë shumën prej 500 euro dhe në emër të fondit për kompenismin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo Gjykatë kishte pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.