Lajme

Vrasja në “Kobra City”: Specialja ngre aktakuzë ndaj Dibran Hoxhës dhe katër të tjerëve

02/20/2024 14:00
nga:G B

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për rastin e vrasjes në “Kobra City” në të cilën nën akuzë ka përfunduar edhe bosi i këtij lokali në Prizren, Dibran Hoxha.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër pesë (5) të pandehurve me inicialet D.H., R.S., A.V., B.M dhe J.B. Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri D.H., akuzohet për veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së, si dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, bën me dije prokuroria.

Përveç kësaj, disa persona të tjerë të përfshirë në rast, akuzohen edhe për manipulim me prova.

“Të pandehurit R.S dhe B.M. akuzohen për veprën penale ‘’Manipulimi me prova’’ nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së. Ndërkaq, të pandehurit R.S, J.B dhe A.V. akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në rrahje’’ nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Po ashtu, të pandehurit R.S dhe J.B akuzohen se e kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Kujtojmë se vitin e kaluar, Dibran Hoxha, në publik i njohur me nofkën “Kobra”, dyshohet se në lokalin e tij “Kobra City” kishte privuar nga jeta një të ri nga Shqipëria.

Sipas mediave shqiptare konflikti kishte për motive të dobëta në lokal, ku tre të rinjtë nga Kukësi janë konfliktuar me një shqiptar të Kosovës me grushte dhe sende te forta.

Pasi janë konfliktuar, ata janë nisur drejt Kukësit me një një automjet.

Dyshimet janë se drejt tyre ka qëlluar pronari i lokalit të natës, Dibran Hoxha teksa ata po largoheshin me automjet në drejtim të Kukësit.