Lajme

Vrasja në Ferizaj, dënohen katër persona dhe lirohet i pesti

11/30/2023 15:37
nga:N K

Leonit Muhaxheri, më 4 shtator 2020, rreth orës 20:08, në rrugën “Wesley Clark” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.Q, me ç’rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Alorin Leka, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Kjo aktakuzë, të enjten në një rigjykim ka përfunduar edhe me një vendim nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

Në këtë rigjykim, sot, Gjykata vendosi që të dënonte për vrasje Leonit Muhaxheri.

Albin Balia e Eugen Bajralia u dënuan për pjesëmarrje në rrahje, e Rinor Jashari për kanosje.

Lartësia e dënimit për ëta persona ka mbetur që të vendoset në një seancë tjetër.

Kjo Gjykatë, të nëjtën ka marrë vendim që ta liroi nga akuza Mërgim Atanasova, i cili akuzohej për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.

Avokatja e këtij të fundit, Arbnora Shefki i tha Insajderit se se provat e administruara në këtë proces rigjykimi nuk kanë vërtetuar se i mbrojturi i saj Mërgim ka kryer veprën penale që i ngarkohej me aktakuzë.

Më 7 korrik 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia, Rinor Jashari dhe Mërgim Atanasova, duke i dënuar me 22 vite e 7 muaj burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë për vrasje të rëndë në Ferizaj.

Më 14 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit pati kthyer çështjen në rigjykim rastin ku atëherë pesë të akuzuarit Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia, Rinor Jashari dhe Mërgim Atanasova ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të përpiluar më 19 mars 2021, Leonit Muhaxheri, më 4 shtator 2020, rreth orës 20:08, në rrugën “Wesley Clark” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.Q, me ç’rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Alorin Leka.

Në aktin akuzues thuhej se pas një mosmarrëveshje në mes tyre në kafenenë “Mon-Bar“, i pandehuri Leonit së bashku me të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia kishin shkuar tek tavolina e tani të ndjerit, i cili ishte duke qëndruar me Alorin Lekën.

Aty thuhej se i pandehuri Albin i ishte drejtuar tani të ndjerit me fjalët “Çka po më kqyr, çfarë problemi ke”, e më pas me tu ngritur nga tavolina, i ndjeri së bashku me Alorin Lekën kishin dalë jashtë kafenesë dhe diku pas rreth 15 metra, përkatësisht përballë kafenesë “Escobar”, tek qoshi i banesës ndalohen nga të pandehurit.

Tutje, sipas aktakuzës, pas një fjalosje mes tyre, për një moment i pandehuri Leonit me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor – thikë, e kishte goditur njëherë tani të ndjerin në pjesën majtë të veshit, e më pas në përleshje e sipër, e kishte goditur edhe disa herë me thikë në pjesë vitale, përkatësisht në regjionin e shpinës, në anën e majtë.