Lajme

Vrasja e policit në Kaçanik, Konjufca: Bëj thirrje për hetime sa më të plota e të shpejta

4 ditë më parë
nga:Sh R

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së mbrëmshmë në Kaçanik, ku u qëllua për vdekje një polic.

Konjufca ka bërë thirrje për hetime sa më të plota e të shpejta, që autori apo autorët të vendosen përballë drejtësisë.

“Bëj thirrje për hetime sa më të plota e të shpejta që është e mundur, në mënyrë që autori apo autorët e këtij krimi të vendosen përballë drejtësisë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e rreshterit Muhamed Lika, të cilët duhet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje të madhe!”, ka shkruar Konjufca.

Zyrtari policor u qëllua mbrëmë në hyrje të ndërtesës së tij. Për rastin ende nuk ka të arrestuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha se po punojnë intensivisht për zbardhjen e rastit.

Veseli po ashtu shtoi se ende nuk dihen motivet e kësaj vepre të rëndë.

Rasti ndodhi mbrëmë rreth orës 23:00.

Rrethanat tjera të vdekjes janë akoma të paqarta.

“Më 01.04.2025, rreth orës 23:00, kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. Viktima është një pjesëtar i Policisë së Kosovës Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Si pasojë e plagëve të marra pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, deklaruan mbrëmë nga policia.