Lajme

Vrasja e Martin Canit, kalon për gjykim çështja ndaj 14-vjeçarit të akuzuar si autor

3 ditë më parë
nga:G B

Gjykata e Tiranës vendosi të kalojë për gjykim çështjen ndaj 14-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani.

Gjyqtarja Migena Laska pranoi kërkesën e prokurorisë për dërgimin në gjyq të të miturit për “vrasje në rrethana cilësuese”. Në të njëjtën seancë gjykata ka refuzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga i akuzuari.

Gjatë seancës psikologia Lindita Hoxha ka shprehur dakordësi për vijimin procesit me gjykim të zakonshëm për shqyrtim me të detajuar të çështjes në themel.

Ngjarja ndodhi më 18 nëntor 2024, në Tiranë, rreth 200 metra larg shkollës “Fan Noli”. Konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur tre ditë më parë brenda ambienteve të shkollës për motive të dobëta. Edhe pse në dukje ishte shuar, ai u rindez sërish brenda shkollës.

Të dy të miturit u përplasën në tualetet e shkollës gjatë paradites dhe debatuan ashpër, por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, të shoqëruar nga miqtë e tyre, ata u takuan pranë shkollës, ku konflikti u përshkallëzua në një përleshje fizike, duke përfunduar me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e Luisit./A2Cnn