Lajme

Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli me shokë, ende pa dënim në letër!

07/07/2026 20:37
nga:Y I

Ende nuk është dhënë me shkrim dënimi me burg të përjetshëm për Naim Murselin e Granit Plavën.

Aktgjykimi për këta, që u gjetën fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkë edhe me shokun e tyre Kushtrim Kokalla, të dënuar me 30 vjet burg, nuk u vendos në letër.

E nga dita e shpalljes, kaluan 77 ditë.

Me këtë rast, ka kaluar edhe koha e paraparë me Kodin e Procedurës Penale, edhe për rastet e ndërlikuara, që jep më shumë se 30 ditë.

Nga gjykata deklaruan për Klanin që kjo punë është kah fundi.

Ish-gjyqtari Ahmet Rexhaj po vlerëson se ky rast, për shkak të ndjeshmërisë, është dashur të trajtohej me prioritet.

E kurdo që vendimi të jetë në letër, do të përfundojë në Apel.

Kjo pasi avokatët e të gjitha palëve thanë se do të ankohen në shkallë të dytë.

Të dënuarit kundër burgut, e përfaqësi ligjor i familjes Ademaj vetëm do të apelojë vendimin për Kokallën.