Vrasja e Hamide Magashit nga ish-burri i saj para dyerve të Klinikës së Gjinekologjisë ka dridhur themelet e çdo institucioni publik që ishte përgjegjës.
Tashmë mësohet se Inspektorati Shëndetësor ka nisur hetimet brenda klinikës së Gjinekologjisë.
Ata kanë marrë deklaratat e ekipit kujdestar që kanë qenë në ndërrim natën që u vra Hamide Magashi.
Burimet tregojnë se Inspektorati Shëndetësor ka qenë i pranishëm në Klinikë edhe një ditë pas vrasjes, ditën e enjte.
“Inspektorati Shëndetësor kanë qenë dje dhe pardje, ata kanë marrë deklaratat nga ekipi kujdestar që ka qenë atë natë në ndërrim”, thotë ky burim për Insajderin.
Rasti i fundit makabër që ndodhi ka bërë që ky dikaster të kryqëzohet edhe më shumë për jotransparencë dhe papërgjegjësi.
Hamide Magashi, një 35 vjeçare shtatzëne në muajin e nëntë u vra mizorisht nga ish-burri i saj para dyerve të Klinikes së Gjinekologjisë, në QKUK.


