Xhaxhai i të arrestuarit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i ka kërkuar përsëri Gjykatës së Apelit që t’i heqë masën e ‘arrestit në burg’ dhe ta zëvendësojë me një masë tjetër.
Gjon Shkambi i dyshuar si nxitës dhe se kishte dijeni për planet e Elvis Shkëmbit, të riut që vrau në sallën e gjykatës gjyqtarin Kalaja, thotë se nuk kishte asnjë dijeni për planet e nipit.
Si argument për zëvendësimin e masës që do të shqyrtohet nga gjyqtari Gent Shala, Gjon Shkambi sjell dy kartela mjekësore, të bashkëshortes që sipas mbrojtjes është në gjendje të rëndë dhe të vetën Bashkangjitur këtyre shkresave ai ripërsërit keqardhjen për krimin e rëndë.
Menjëherë pas arrestimit i dyshuari ishte lënë në arrest në burg, por Shkambi iu shmang rekursit në gjykatën e lartë duke ju drejtuar Apelit, mbas tre radhëve që u refuzua për ndryshim mase si të pabazuar në ligj dhe prova, raporton Top Channel.
Pas vlerësimit të masës që e dërgoi në burg, autori i vrasjes së gjyqtarit Elvis Shkambi nuk ka depozituar asnjë kundërshtim,
Në rrëfimin e tij para policisë ai përmend se mbas zvarritjeve 30 vjeçare në drejtësi për konfliktin e pronës, ditën kur dëgjoi shpalljen e vendimit ai qëlloi në gjaknxehtësi e sipër, duke lënë të plagosur edhe dy përfaqësues të palës tjetër. Por prokuroria dyshon se përderisa Elvis Shkambi hyri në ambientet e gjykatës së apelit me një pistoletë, ai e kishte planifikuar krimin.
Më herët qelinë e ka lënë edhe punonjësi i gjykatës Banush Koxhaj, i dyshuar për shpërdorim detyre mbasi duke mos kryer kontrollin e duhur me detektor u mundësua hyrja e armatosur e autorit.


