Policia e Ferizajt ka marrë masa ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit, pas publikimit të kundërvajtjeve të tyre në rrjetet sociale.
Shoferi L.B., 21 vjeç, duke drejtuar një BMW X6 me targa të huaja, në fshatin Greme ka arritur shpejtësi 209 km/h në një zonë me kufizim 50 km/h.
Ai është ndëshkuar me gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe heqje të patentës për 12 muaj. Shoferi e ka pranuar shkeljen e shkaktuar.
Ndërsa shoferi tjetër, E.K., 27 vjeç, duke drejtuar një Seat Ibiza me targa vendore në fshatin Zllatar, ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Ai është ndëshkuar me gjobë prej 150 euro dhe 1 pikë negative dhe gjithashtu ka pranuar kundërvajtjen.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit për të mos rrezikuar jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo kundërvajtje në numrin 192 ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, duke garantuar konfidencialitet të plotë për identitetin e raportuesve.


