Lajme

“Tërhiqet Serbia”: Votuesit serbë nga Kosova do të mund të votojnë në qytetet serbe

01/15/2022 21:50
nga:G C

Mediat në Serbi raportojnë se meqë Kosova nuk lejoi të mbahet referendumi në territorin e Kosovës, serbët e Kosovës kanë mundësi të votojnë në Kushumli, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranje.

Serbët e Kosovës do të mund të votojnë në 45 qendrat e vendvotimeve në këto katër qytete, raporton rtv.sr.

Gjithashtu, votat e votuesve nga Kosova nuk do të ndahen veçmas, por do të bëhen bashkë me votat e votuesve të qytetarëve tjerë që votojnë në këto qytete.

Gjithashtu, kryetari i organizmit të procesit zgjedhor atje, Vladimir Dimitrijeviq, përshëndeti veçanërisht Marko Jankoviqin, i cili u ndalua mbrëmë nga autoritetet në Kosovë, pasi tentoi të fusë në kufirin Kosovë-Serbi materiale për organizimin e referendumit.
Krejt në fund, Dimitrijeviq njoftoi se vendvotimet hapën në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në ora 8 të mbrëmjes.

Referendumi në Serbi mbahet që të bëhen ndryshime kushtetuese, në mënyrë që t’i krijohet më shumë pushtet degës së Gjyqësorit në emërime dhe shkarkime.

Ambasadorët e Quint’it në Kosovë bënë thirrje që të lejohet që ky referendum të mbahet në Kosovë, por kjo gjë u kundërshtua kategorikisht nga forcat e mëdha politike në vend.

Madje, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.