Lajme

“Votuesit do t’i ndëshkojnë bllokuesit”| Osmanit i kërkohet shpallja e zgjedhjeve – çfarë rezultatesh mund të priten

11/19/2025 22:09
nga:G B

56 vota i mori sot i mandatuari për kryeministër, Glauk Konjufca.

Kaq kishte marrë edhe paraardhësi i tij, Albin Kurti, në tentativën për t’u bërë kryeministër.

Edhe pse presidentja Osmani kur e mandatoi Konjufcën për kryeministër, tha se e kishte bindur se do t’i bënte votat e qeverinë, ai nuk arriti ta bënte këtë, e nuk mori as edhe një votë më shumë se Kurti.

Pas kësaj, zgjedhjet duket se janë zgjidhja e vetme.

Presidentja Osmani ende nuk ka treguar se kur pritet t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Por, çfarë rezultati mund të sjellin dhe a ka rrezik që të përsëritet situata e njëjtë e të kemi sërish bllokadë?

Ish diplomatja Alma Lama, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se su u qartësua se VV ishte ajo që bllokoi formimin e institucioneve në mënyrë të qëllimshme.

“Sot është e qartë se LVV e bllokoi themelimin e institucioneve në mënyrë të qëllimshme pasi nuk ka pasur vota asnjëherë për të bërë qeverinë”, ka thënë ajo.

Sipas Lamës, nëse në zgjedhjet e ardhshme VV del sërish partia e parë, mund ta vazhdojë sërish krizën, por që qytetarët duhet të votojnë ndryshe, nëse duan ta ndërpresin atë.

“Zgjedhjet e ardhshme nëse nuk prodhojnë një rezultat tjetër nga ky aktuali dhe nëse VV del partia e parë, mund të shërbejnë sërish për të vazhduar krizën. Nuk mund ta them se çfarë rezultati do të prodhojnë por nëse qytetarët duan ndërprerjen e krizës, duhet të votojnë ndryshe, të mos bien pre e propagandës dhe manipulimit”, ka theksuar Alma Lama për Gazeta Blic.

Ndërsa, analistja politike, Shqipe Pantina, vlerëson se presidentja duhet ta caktojë sa më parë datën e zgjedhjeve.

“Presidentja Osmani duhet sa më parë t’i thërrasë partitë politike për konsultime dhe të shpallë datën e zgjedhjeve”, ka thënë ajo për Gazeta Blic.

Sipas saj, votuesit do t’i ndëshkojnë bllokuesit e vendit dhe se vendit i duhen njerëz të përgjegjshëm për t’i zgjidhur problemet.

“Besoj se votuesi duhet t’i ndëshkojë ata që e bllokuan vendin, duke e lënë pa institucione për 9 muaj dhe, për më tepër, duke mbajtur pozitat në qeveri në mënyrë të jashtëligjshme. Vendit i duhet një qeveri e udhëhequr nga njerëz të përgjegjshëm, të cilët fokusohen në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe në hapjen e një perspektive më të mirë për vendin. Kemi humbur shumë kohë dhe kemi mbetur prapa në shumë procese si pasojë e një udhëheqësie të papërgjegjshme dhe pa vizion”, ka deklaruar Shqipe Pantina./Gazeta Blic/

Bajqinovci: Pritet shpallja e zgjedhjeve – të bindur se do të fitojmë më shumë se më 9 shkurt

Matoshi: Nëse qytetarët duan organizatë leniniste që t’ua rrezikojë lirinë – le ta votojnë VV-në me 51 për qind

Isa Mustafa: Kuvendi u shndërrua në teatër tragjik për shtetin e komik për popullistët – Nga sot duhet shkuar në zgjedhje të reja

Musliu: Qeveria Kurti ishte si një re e zezë mbi shtetin e Kosovës – Qytetarët kanë qenë të braktisur dhe të poshtëruar nga Vetëvendosje

Arifi: Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve – Humbjet e 5 viteve të kaluara, Kosova edhe 10 vite tjera nuk mund t’i kompensoj