Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tashmë ka shfrytëzuar të drejtën e tij për votë.
Kryeministri Kurti ka votuar në njërën prej qendrave të votimit në Prishtinë.
Pas kryerjes së procedurës së votimit në zgjedhjet lokale, Kurti ka deklaruar se si qytetar i Republikës dhe banorë i kryeqytetit sapo ka votuar dhe ka ushtruar të drejtën demokratike për të zgjedhur kryetarin e Komunës, që do të qeverisë në katër vitet në vijim.
“Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë është publikja e lagjes dhe qeliza e Republikës, andaj ju inkurajojë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të shfrytëzojnë mundësinë të përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që do të zgjedhin sot.Moti është shumë i bukur dhe pa të reshura, andaj pjesëmarrja sa më masive është e pritshme”, tha Kurti, shkruan lajmi.net.

Kurti theksoi se mekanizmat shtetërorë do të kujdesen për mbarëvajtjen ne procesit zgjedhor, në zbatim të rregullave dhe me 14 nëntor, “pra sot mund të themi se po e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral që nisi me zgjedhjet e 14 shkurtit, vazhdoj me zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe tash sot kemi balotazhin”.
Kurti poashtu tha se Republika e Kosovës ka dëshmuar se është një shtet demokratik, në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe në mënyrë të lirë dhe të ndershme zgjedhin ata të cilët do të zgjedhin në nivel vendi.
“Fushata ka përfunduar dje në ora shtatë të mëngjesit dhe sot flasin qytetarët”.


