Lajme

Votohet buxheti për vitin 2025 për Mitrovicën e Jugut, Hamza: Projekte të rëndësishme për qytetarët

09/23/2024 16:31
nga:G B

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka njoftuar se është votuar buxheti i komunës për vitin 2025, raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se përmes votimit të buxhetit u krijuan mundësitë e hapjes së rrugës “Ali Zeneli”, ku jetojnë qindra familje, të cilën asnjë qeverisje lokale nuk kishte mundur ta hapte në këto dy dekada për shkak të vështirësive që janë të njohura për të gjithë mitrovicasit.

Ai ka falënderuar asamblistët e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Mitrovicës së Jugut “për vendimmarrjen e përgjegjshme në të mirë të qytetarëve dhe komunës sonë”.

Postimi i tij i plotë:

I lumtur që u votua Buxheti i Mitrovicës së Jugut për vitin 2025 dhe që me votat e asamblistëve u krijuan mundësitë e hapjes së rrugës “Ali Zeneli”, ku jetojnë qindra familje, të cilën asnjë qeverisje lokale nuk kishte mundur ta hapte në këto dy dekada për shkak të vështirësive që janë të njohura për të gjithë mitrovicasit.

Hapja e kësaj rruge do ta shkarkojë jashtëzakonisht shumë komunikacionin dhe do të hapë perspektivë të re ekonomike për banorët e kësaj zone. Dhe, po ashtu, perspektivë të re do të hapin edhe shumë projekte të rëndësishme dhe me ndikim të madh në përmirësimin e jetës së qytetarëve që do të realizohen me buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm.

I falënderoj asamblistët e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Mitrovicës së Jugut për vendimmarrjen e përgjegjshme në të mirë të qytetarëve dhe komunës sonë.

Me punë e përkushtim, duke i kuptuar drejtë brengat e qytetarëve, ne po e përmbushim synimin tonë për ndryshimin e Mitrovicës!