Lajme

Votimi për kryetarin e Kuvendit/ Avokati shpjegon sipas Kushtetutës të drejtën e deputetëve

04/20/2025 20:52
nga:G B

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se deputetët që nuk votojnë për kryetar të Kuvendit bëjnë shkelje kushtetuese.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic është deklaruar avokati Ardian Bajraktari.

Ai ka thënë se sipas Kushtetutës, duhet të jetësohet e jo të bllokohet themelimi dhe ushtrimi efektiv i funksioneve përkatëse.

“Referuar Kushtetutës dhe Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, rasti Nr. KO119/14 i vitit 2014 si dhe rasti Nr. KO72/20 i vitit 2020, të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, duhet të ushtrohen në shërbim të themelimit dhe mbarëvajtjes efektive të institucioneve shtetërore.

Dhe se, strukturën e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretuar në atë mënyrë që të jetësohet dhe jo të bllokohet themelimi dhe ushtrimi efektiv i funksioneve përkatëse”, thotë ai.

Bajraktari thekson se në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë.

“Për më tepër, pika 128 e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KO119/14, thekson se: në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, potencon avokati për Gazeta Blic.

Ai shton se të zgjedhurit e popullit duhet të gjejnë zgjidhje e të votojnë sipas dëshirës së tyre dhe t’i themelojnë institucionet sa më parë.

“Pra, është detyrë e të zgjedhurve të popullit që të gjejnë zgjidhje, të marrin pjesë në votim, të votojnë sipas dëshirës së tyre dhe t’i themelojnë institucionet sa më parë, filluar nga procesi i konstituimit të Kuvendit, përkatësisht zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, deklaron Ardian Bajraktari./Gazeta Blic/

Nesër përpjekja e tretë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit – a do t’i ketë VV-ja votat?!