Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht të mërkurën Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Lidhur me votimin e djeshëm ka paralajmëruar mundësinë e ankesës në Gjykatën Kushtetuese, Shqipdon Fazliu, një kandidat tjetër që ishte në garë për ta drejtuar Prokurorinë e Shtetit.
Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv, edhe avokati i tij, Flakron Sylejmani.
“Jemi duke e shqyrtuar dokumentacionin lidhur me rastin. Është ende herët të prononcohemi por ne do të shikojmë të gjitha mjetet ligjore. Nuk përjashtohet mundësia që rastin ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por, po e shikojmë se a do ta dërgojmë rastin paralelisht edhe në Gjykatën Themelore”.
Procesi në tërësi po konsiderohet si me mjaft të meta profesionale edhe nga shoqëria civile.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi Gëzim Shala, tha për se intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, kishin mangësi profesionale dhe se sipas tij kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë.
“Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht. Njëherit, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve. KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”.
“Me gjithë vërejtjet dhe kritikat objektive të bëra, është brengosëse që Këshilli Prokurorial ka propozuar për emërim z. Isufajn, në mënyrë unanime. Është për t’u habitur se si të paktën një anëtar i Këshillit nuk është bindur nga analiza e dhënë përmes monitorimit objektiv të procesit. Një veprim i tillë i Këshillit vetëm sa reflekton edhe më tutje faktin që Këshilli Prokurorial qeveriset me mendësi korporatiste, pa objektivitet në vendimmarrje, ashtu siç kishte tërhequr vërejtjen për një rrezik të tillë edhe Komisioni i Venecias në opinionin për Kosovën CDL-AD(2021)051”.
Ai tha se me këtë rast presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, duhet të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit.
“Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim do të dërgohet tek Presidentja e vendit për dekretim përfundimtar, me të cilin z. Isufaj do të emërohej Kryeprokurori i ri i Shtetit, me mandat shtatëvjeçar. Koalicioni i bën thirrje Presidentes që, në kuptim të mandatit të saj kushtetues për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit ashtu që mangësitë e theksuara objektive të këtij procesi t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim”.
Ndaj votimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka reaguar edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian Tomas Szunyog.
Zyrtari i BE-së në Kosovë tha se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian, për të siguruar një përzgjedhje të drejtë dhe të bazuar në meritokraci, KPK po e përmbyll procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, duke i shpërfillur këto parime.
“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian për të siguruar një zgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”.
Për votimin e Isufajt reagoi edhe ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde.
“Kjo me të vërtetë është zhgënjyese dhe jo rruga e duhur përpara. Veçanërisht kur OJQ-të e njohura të Kosovës si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike kanë shprehur shqetësimin e njëjtë”.
Vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e Isufajt në këtë pozitë do t’i dërgohet për dekretim presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Zyra e të parës së shtetit ka thënë në një përgjigje për Klankosova.tv se ende nuk nuk dihet se kur do të merret vendimi lidhur me dekretimin e tij.
Garës për ta zënë vendin e Aleksandër Lumezit si Kryeprokuror i patën hyrë: Arben Ismajli, ish-prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, tashmë prokuror në Prokurorinë e Apelit; Armend Hamiti prokuror në Prishtinë; Blerim Isufaj, kryeprokuror në Prokurorinë Speciale, Kujtim Munishi, kryeprokuror në Prishtinë si dhe Lulzim Sulejmani e Shqipdon Fazliu të dy prokurorë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.


