Lajme

“Vota abstenuese e PDK-së për Byronë është për shkak të shkeljeve kushtetuese”

07/08/2022 00:00
nga:Gazeta Blic

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka shpjeguar votën kundër të partisë së saj në lidhje me projektligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ajo tha se vota abstenuese ishte që në start, pasi i kishin dhënë vërejtjet në kohën kur qeveria e ka përfunduar punën e saj dhe e ka sjell projektligjin në kuvend.

“Kemi abstenuar në start sepse kemi konsideruar që qeveria, konkretisht ministria e Drejtësisë do të ketë një reflektim karshi vërejtjeve që i kemi dhënë ne si opozitë”.

“Madje, këto vërejte i kanë dhënë edhe nga shoqëria civile dhe ata i kanë deleguar ato vërejte në ministrinë e Drejtësisë”, është shprehur Deliu – Kodra në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Ajo tha se abstenimi është bërë me idenë se do të ketë ndryshime, pasi sipas saj, për mënyrën se si është sjellur në kuvend projektligji, qe e pamundur të miratohet për shkak të shkeljeve kushtetuese.

Deliu-Kodra tutje tha se pasi kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, e çoi projektligjin në Komisionin e Venecias, ky komision konstatoi se projektligji ishte mbi 90% në kundërshtim me opinionin e tyre.

“Duket se ai e kuptoi drejt se projektligji kishte shumë probleme, që jam e bindur se i janë thënë edhe në takime të tjera, se vendimi ishte i tij që ky projektligj të dërgohet te Komisioni i Venecias, ndërkohë ne të kemi një raport nga ta dhe pastaj kuvendi të hapë diskutimin”, është shprehur Deliu –Kodra, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se sot ky projektligj nuk i pati votat e mjaftueshme që të kalojë dhe ajo që ra në sy ishte vota abstenuese e vet Konjufcës.