Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi vazhdojnë ende të qëndrojnë në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.
Në konferencën përgatitore të datës 15 shkurt u vendos se gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së të vazhdojë me datën 3 prill, pra më shumë se dy vite pas arrestimit të tyre.
“Gazeta Blic” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Speciale lidhur me arsyet e vonesave të fillimit të gjykimit kundrejt ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në përgjigjen e tyre të shkurtë dhënë për gazetën thuhet se se një nga ekipet kishte kërkuar shtyrjen e fillimit të gjykimit dhe palët e tjera nuk kishin kundërshtime,.
“Një nga ekipet e mbrojtjes kishte kërkuar shtyrjen e fillimit të gjykimit dhe palët e tjera nuk kishin kundërshtime, kështu që trupi gjykues, gjatë konferencës me 15 shkurt, ra dakord që fillimi i gjykimit të zhvendoset në 3 prill”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për “Gazeta Blic”
Katër seanca gjykimi janë caktuar për në muajin prill nga Dhomat e Specializuara.
Seancat janë caktuar me datat 3, 4, 5 dhe 11 prill.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, dhe të njëjtit janë dekalruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
/Gazeta Blic/
Prokuroria: Mbi 300 dëshmitarë në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së


