Lajme

Vonesat e pagesave shtesë për policët dhe ushtarët, vjen reagimi nga Ministria e Financave

4 ditë më parë
nga:Gazeta Blic

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar pas raportimeve për mos ekzekutimin e pagave dhe shtesave tjera, duke e kaluar përgjegjësinë tek organizatat buxhetore.

Në një komunikatë për media, Ministria thotë se përgatitja e listave të pagave dhe sigurimi që fondet janë brenda kufijve të miratuar në ligjin për ndarjet buxhetore janë përgjegjësi e vetë institucioneve përkatëse.

Ministria shpjegon se Thesari vetëm proceson pagesat, por nuk ka rol në menaxhimin e buxheteve të institucioneve shtetërore.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.

MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale”, thuhet në reagim.

Ky reagim vjen pasi Sinjali ka raportuar më herët për mos ekzekutimin e pagave për zyrtarët e Policisë dhe ushtarët e FSK-së, të cilët ende nuk kanë marrë shtesat e premtuara nga Qeveria.

Sipas Ministrisë, organizatat buxhetore duhet të bëjnë planifikim të saktë mujor, duke u siguruar që kanë fonde të mjaftueshme për të përballuar pagesat shtesë mbi pagën bazë. Në të kundërtën, sipas tyre, kjo mund të çojë në pamundësinë e ekzekutimit të pagave në kohë.

“U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë”, shkruhet në postim.

Ministria shton se ka paralajmëruar me kohë institucionet për të qëndruar brenda buxhetit të ndarë dhe shpreh gatishmërinë për t’i ndihmuar në përmirësimin e planifikimit financiar për muajt në vijim.

Ndërkohë, zyrtarët policorë dhe ushtarët e FSK-së mbeten të pakënaqur me këtë situatë, teksa përgjegjësia vazhdon të hidhet nga një institucion tek tjetri.