Lajme

Von der Leyen: Sanksionet nuk zbuten derisa Rusia ta ndalë luftën

10/16/2026 14:54
nga:L J

Bashkimi Europian do të vazhdojë me regjimin e njëjtë të sanksioneve kundër Rusisë derisa Moska t’i japë fund agresionit ndaj Ukrainës, kanë konfirmuar të premten (16.10.2026) Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa në takim me Volodymyr Zelensky, raporton televizioni Euronews.

Komentet e tyre përbëjnë kritikë të qartë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për shkak të lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për furnizim me naftë (dizel) me homologun rus, Vladimir Putin. Kjo marrëveshje ka zemëruar Ukrainën dhe ka shkaktuar shqetësim në mesin e aleatëve europianë

“Një gjë është krejtësisht e qartë: ne nuk do të heqim asnjë sanksion për sa kohë që Rusia nuk e ndal luftën”, ka deklaruar premten në mëngjes Von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian.

“Nuk është koha për të lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë. Tani është koha për të shtuar mbështetjen dhe për të rritur presionin”, ka thënë Costa, presidenti i Këshillit Europian.

Presidenti Zelensky i ka falënderuar liderët europianë për mbështetjen e vazhdueshme, duke i cilësuar si “liderë të vërtetë” që kanë qëndruar në krah të Ukrainës që nga fillimi i luftës.

“Nuk shohim asnjë sinjal nga pala ruse se ata janë të gatshëm t’i japin fund kësaj lufte”, ka thënë presidenti ukrainas. “Prandaj duhet të përgatitemi për dimrin. Një paketë për dimrin. Nuk bëhet fjalë vetëm për energjinë, por edhe për mbrojtjen ajrore dhe financimet”.