Lajme

Von der Leyen propozon embargo mbi naftën ruse

05/04/2022 09:26
nga:G B

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zbuloi planin e bllokut evropian për të ndalur importet e naftës ruse nga fundi i vitit, si pjesë e pakos së re të sanksioneve të BE-së kundër Moskës.

Ndalesa ka për qëllim “presionin maksimal” ndaj Rusisë, tha von der Leyen gjatë një debati në Parlamentin Evropian.

Sipas saj, kjo do të bëhet me një gradualisht për të ruajtur stabilitetin ekonomik të Bashkimit Evropian.

Ajo tha se heqja dorë nga nafta ruse nuk do të jetë e lehtë, “por ne thjesht duhet ta bëjmë”. Von der Leyen po ashtu tha se në një periudhë gjashtëmujore do të hiqet dorë nga nafta e papërpunuar dhe produktet e rafinuara.

Von der Leyen po ashtu njoftoi për largimin e bankës më të madhe ruse, Sberbank, nga sistemi ndërkombëtar i komunikimit financiar, SWIFT.

Në pakon e gjashtë të sanksioneve, që pritet të miratohet në ditët në vijim, do të jenë edhe zyrtarët ushtarakë të përfshirë në mizoritë e kryera në Buça dhe Mariupol, tha von der Leyen.

Po ashtu, zyrtarja e lartë e BE-së tha se tre media shtetërore ruse do të largohen nga transmetimet në BE, pasi sipas saj, këto janë “megafonë të gënjeshtrave të Putinit”.

Sanksionet e paralajmëruara nga BE-ja vijnë teksa forcat ruse po godasin objektiva në lindje të Ukrainës, duke sulmuar me raketa fabrikën e çelikut në Mariupol, që është pika e fundit e rezistencës.

Dhjetëra banorë kanë arritur të largohen nga Mariupoli përmes një operacioni evakuimi të Kombeve të Bashkuar dhe Kryqit të Kuq dhe të martën janë dërguar në Zaporizhja, që kontrollohet nga Ukraina. Civilët kishin qenë të strehuar për javë të tëra në bunkerët nën fabrikën e çelikut, Azovstal.

Në mesin e të evakuarve kryesisht kishte gra dhe fëmijë, të cilët u larguan nga Mariupoli përmes autobusëve.

“Ne i kishim thënë lamtumirë jetës. Nuk mendonim se dikush e dinte se ne ishim atje”, tha Valentina Sytnykova, 70 vjeçe, e cila ishte strehuar në fabrikë për dy muaj së bashku me djalin e saj dhe mbesën 10-vjeçare.