Lajme

Von Der Leyen: BE-ja ka gaz të mjaftueshëm deri në fund të dimrit

03/09/2022 12:56
nga:Astrit Gashi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, deklaroi se shtetet anëtare të BE-së tashmë kanë blerë sasi të mjaftueshme të gazit të lëngshëm natyror dhe se kjo sasi e siguruar i mjafton shteteve anëtare deri në fund të dimrit, pa pasur nevojë që të importojnë gaz nga Rusia.

“Së bashku, me kursimin më të madh të energjisë dhe zgjerimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, ne do të jemi në gjendje të bëhemi të pavarur”, tha Von Der Leyen për televizionin shtetëror gjerman, ZDF.

Lidhur me vendimet e ndryshme për importin e naftës ruse, Von der Leyen tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i ndaluan importet e tilla, janë më pak të varura nga nafta. Qëllimi, theksoi ajo, është që sanksionet duhet të prekin kryesisht Rusinë, e jo vendet perëndimore.

Von Der Leyen shprehu shqetësimin se numri i refugjatëve nga Ukraina do të jetë shumë më i lartë dhe se ky është “vetëm fillimi”. Ajo vlerësoi gatishmërinë e të gjithë anëtarëve të BE-së për të pranuar refugjatë, veçanërisht gatishmërinë e fqinjëve të Ukrainës, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë.