Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se me nënshkrimin e sotëm të aktit ligjor në Strasburg nga Këshilli i Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën kjo çështje ka përfunduar dhe qytetarët e Kosovës që nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të lëvizin lirshëm.
Ajo në një intervistë për RTK-në ka thënë se nuk pret që të ketë më vonesa në këtë drejtim. “Me nënshkrimin e sotëm të Këshillit të BE-së është fundi i këtij procesi. Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë gjë që do ta zhvlerësonte apo vononte lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.
“Më 1 janar do të jetë data kur qytetarët do të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Nuk e di se sa i kondisderueshëm ka qenë kontributi im, do të kisha dashur të bëja këtë punë shumë më parë, por nuk është varur vetëm nga unë. Por, tashmë kjo punë është kryer dhe për 8 ose 9 muaj qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë lirinë e re dhe mundësinë për të ecur drejt BE-së”, ka shtuar Van Cramon.
Ajo ka thënë se procesi i liberalizimit është hap drejt eurointegrimit, derisa ka shprehur shpresën që Kosova së shpejti t’i gëzohet edhe sukseseve tjera drejt integrimit evropian. ”Shpresoj që së shpejti të shohim Kosovën edhe si pjesë të Këshillit të Evropës. Pra, aplikimi është pranuar dhe këtë duhet ta vendosim në rend të ditës. Kjo ka qenë një ndër pikat që është përmendur gjatë dialogut. Edhe pse janë çështje të ndara, me fleksibilitetin në dialog kjo do të diuhej të ishte hapi vijues, derisa më pas edhe aplikimi për anëtarësim në BE, që normalisht merr kohën e saj”, ka nënvizuar ajo.
Sa i përket mundësisë së keqpërdorimit të liberalizimit të vizave nga qytetarët e Kosovës, siç ka ndodhur me qytetarët e disa vendeve të rajonit vite më parë kur është parë një migrim i hovshëm dhe i paligjshëm drejt shteteve të BE-së, Von Cramon ka thënë se nuk pret që një gabim të tillë ta përsërisin qytetarët e Kosovës. ”Kjo ka qenë në fakt arsyeja që disa shtete anëtare nuk kanë qenë pro liberalizimit sepse disa vende tjera të rajonit apo thënë më mirë qytetarët e tyre e kishin keqpërdorur liberalizimin, kishin kërkuar azil, pastaj i kanë keqpërdorur sistemet shëndetësor të disa shteteve dhe kjo ka shkaktuar një lloj nervoze dhe disa qeveri të shteteve anëtare të BE-së me të drejtë kanë qenë skeptike. Nuk besoj se Kosova ka nevojë ta përsërisë këtë gabim. Ju e keni një diasporë të madhe në Zvicër, Gjermani, Austri e shtete tjera dhe është absolutisht legjitime që te vizitohen familjarët në ato vende. Nëse ndodh ndonjë gjë atje, sistemi i BE-së do t’iu ofrojë zgjidhje të mundshme. Por është e qartë se nuk mund të punosh atje, pa pasur një vizë pune apo kontratë pune. Pra duhet të kesh vendbanimin e përhershëm atje për të pasur këtë mundësi dhe kjo nuk është pjesë e liberalizimit të vizave”, është shprehur Van Cramon.


