Lajme

Vlerësohet hap i duhur kthimi i ligjit për Këshillin e Sigurisë nga Presidenca

11/20/2024 21:22
nga:G B

Në ditën kur ishte votuar në Kuvend Ligji për Këshillin e Sigurisë, nuk ishin dhënë shumë informacione rreth përmbajtjes së tij.

Por, vetëm pas 2 javësh u kuptua që përmbajtja e tij, mund të jetë kundërkushtetuese, për çka presidentja Vjosa Osmani, ka ndaluar hyrjen në fuqi të tij.

Mentor Vrajolli, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se ligji ka pasur mangësi të shumta që duhet adresuar tek shton se Këshilli i Sigurisë në Kosovë nuk ka pasur rolin që duhet të ketë.

Mentor Vrajolli – Drejtor në QKSS tha se “Fatkeqësisht Këshilli i Sigurisë ka qenë një institucion i lënë anash kryesisht nuk ju ka dhënë vëmendja e duhur sa i përket punësimit, strukturës së brendshme, Këshilli i sigurisë kurr nuk ka qenë një shtyllë për hartimin e politikave të sigurisë, apo hartimet e strategjive për faktin se ka pasur mungesë të kapaciteteve, mendoj që ka interes që klëto kapacitete të fuqizohen dhe Këshilli të jetë funksional.”

Në anën tjetër, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se ky Ligj është ndër më të rëndësishmit në Kosovë, dhe se qeveria duhet të ketë kujdes të shtuar për të mos bërë shkelje kushtetuese.

Ehat Miftaraj – Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaroi se “Qeveria e Kuvendi me rastin e miratimit të tij në mënyrë të padrejtë, të pazakontë dhe të pakuptueshme ka fshirë dispozitat që e rregullojnë rolin, mandatin veprimtarin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme, është e pakuptueshme se si qeveria bënë një gjë të tillë dhe se si intervenon në kompetencat e institucioneve kushtetuese.”

Aktualisht gjendja e jashtëzakonshme rregullohet me Kushtetutë ndërkaq Kosova nuk ka ligj të veçantë për gjendjen e jashtëzakonshme.