Lajme

Vlerësohet e gabuar shkuarja e kryenegociatorit në Bruksel

07/01/2024 20:11
nga:G B

Për herë të fundit u takuan në fund të prillit për çështjen e dinarit por për të cilën nuk arritën pajtim.

Tani kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi e ai serb Petar Petkoviq, të martën do të shkojnë në Bruksel për të diskutuar për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Por, pas dështimit të takimit të nivelit të lartë të javës së kaluar, ish-diplomati Blerim Canaj, nuk ka pritshmëri nga takimi i 2 korrikut.

“ Edhe Borell edhe Lajcak janë të interesuar të arsyetojnë ato vite që shkuan pa as një rezultat. Nuk pres kush e di çka nga takimi,  pasi herën e fundit i pam se nuk kenë në gjendje që t’i ulnin në tavolinë që se paku të iniciohet diçka nga ajo që pritej. Për këtë arsye,  jam skeptik se dita e nesërme do të sjell diçka. Nëse ulën palët nesër në tavolinë nuk ka ndonjë pritshmëri pos asaj lojës së pingpongut”, tha Blerim Canaj-Ish-diplomat

Ngjashëm po mendon edhe analisti,  Fidan Ukaj.

Vetëm se ky, thotë se është e paqartë se si po realizohet një takim i tillë, pa ditur nëse janë pranuar kërkesat që kryeministri kosovar i paraqiti.

“ Tani e kemi një konfirmim tjetër dhe pyetja legjitime është se a i plotësoj Serbia kërkesat e Kryeministrit për të pas një takim të nivelit teknik, megjithatë do të diskutohet për normalizimin e raporteve dhe zbatimin e  raporteve të mëhershme. Kjo i bie që Kryeministri Kurti,  i ka pasur si armë këto kërkesa përball presionit ndërkombëtarë kur kërkohet çështja e Asociacionit”, u shpreh Fidan Ukaj-Analist.

Në takimin e nesërm, tema të diskutimit do të jenë, fillimi i zbatimi të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.