Lajme

Vjosa Osmani takohet me Vasfije Krasniqin, në 22 vjetorin e rrëmbimit të saj nga forcat barbare serbe

04/14/2021 11:39
nga:M K

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Vasfije Krasniqin.

Siç e ka shkruar edhe e parja e vendit, 14 Prilli është përvjetori kur Vasfija u rrëmbye nga forcat barbare serbe, përcjell GazetaBlic.

Tutje, Osmani premtoi që nën patronatin e saj do të angazhohet maksimalisht që kjo datë, 14 Prilli të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më poshtë edhe statusi i plotë.

14 prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme. Por, për Vasfije Krasniqin mbetet përherë data kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. Atë ditë të vitit 1999 ajo u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe. Në këtë ditë, barra e luftës për të ka marrë kuptim tjetër, sepse u shtua aq shumë në peshë e u bë përjetësisht e pashlyeshme.
Barrën që e bartë Vasfija, sot e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë ta bartë e vetme, sepse kjo është plotësisht e padrejtë dhe e papranueshme. Ashtu siç e ndau ajo guximshëm dhimbjen, guximin e të vërtetën me ne e me gjithë botën, po ashtu duhet të luftojmë ne krah për krah me të dhe shumë gra e burra të tjerë si ajo, për të treguar të vërtetën e për të kërkuar drejtësi.
Por siç Vasfija ia doli të jetojë, të mbijetojë, të triumfojë, shembulli e guximi i saj le të na shërbejnë si udhërrëfyes në kërkimin për drejtësi e në komunikimin me të tjerët për këtë pjesë të historisë sonë. Vasfija nuk është e vetme – as në këtë përjetim, por as edhe në rrugëtimin që ka marrë për sjelljen e dretësisë. Ajo është sot zëri i më shumë se 20000 të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovën tonë.
Sot përveç që diskutuam se duhet të vazhdojmë të flasim gjithnjë e më zëshëm për krimet e kryera nga Serbia e që ende po i mohon, u pajtuam që 14 prilli nga sot e tutje, nën patrionatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të shënohët si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, i premtova që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të angazhohemi për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.
Vasfije, na ke pas, ti dhe të gjithë mbi 20000 të mbijetuar të dhunës seksuale të regjimit barbar serb!

LEXO EDHE:

“Ora policore të pezullohet deri në fund të Ramazanit”

/GazetaBlic/