Lajme

Vjosa Osmani në Natën e Krishtlindjes: Paqja dhe solidariteti janë vlerat që na bashkojnë si komb

12/24/2025 20:22
nga:Genita C

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të natës së Krishtlindjes që u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Osmani u është drejtuat qytetarëve duke rikujtuar rëndësinë e bashkimit, solidaritetit dhe humanizmit në shoqëri.

Presidentja tha se Krishtlindja është frymëzimi që na kujton se edhe përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa.

“Magjia e Krishtlindjes na bën sonte të kthejmë vëmendjen edhe drejt atyre që janë larg, në shërbim, por mbi të gjitha drejt atyre që kanë më së shumti nevojë për kujdesin tonë,” tha Presidentja, duke shtuar se shembulli i Nënë Terezës na frymëzon të kujdesemi për të tjerët gjatë gjithë vitit.

Ajo foli edhe për rëndësinë e traditës dhe historisë së Kosovës, duke kujtuar figurat historike dhe shpirtërore që formësuan identitetin e vendit.

“Historia jonë e pasur është e gërshetuar me traditën tonë shpirtërore ndër shekuj. Në këtë vazhdimësi historike qëndrojnë figura madhore si Konstandini i Madh, Justiniani i Parë dhe shën Jeronimi ilir,” theksoi Osmani.

Ajo përmendi edhe martirët e parë katolikë të Kosovës, Florin dhe Laurin nga Ulpiana, duke theksuar se “Tragjedia e tyre dhe vizioni i tyre, së bashku me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj njerëzimit, na frymëzojnë ta ruajmë dhe të përforcojmë lidhjet shpirtërore, kulturore dhe diplomatike”.

Në fjalimin e saj, Osmani bëri të ditur gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj paqes dhe bashkëpunimit ndërfetar.

“Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për ta avancuar miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë: paqja, dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe respekti ndërsjellë”.

Presidentja u drejtua me mesazh shprese dhe dashurie për qytetarët.

“Le t’i hapim zemrat dhe shtëpitë tona jo vetëm për gëzim dhe festë, por edhe për mirësi, përkujdesje dhe solidaritet. Qofshin ditët tuaja të mbushura me paqe, shëndet, gëzim dhe dashuri të pakufishme për shumë mot. Gëzuar Krishtlindjen dhe një vit të ri plot bekime për të gjithë!”, tha Osmani.