Lajme

Vjosa Osmani e Donika Gërvalla vazhdojnë ta mbajnë “sekret” raportimin e ambasadorit Martin Berishaj, për aferën 600 mijë euroshe

05/08/2022 14:29
nga:Gazeta Blic

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla vazhdojnë ta mbajnë sekret raportimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili nga mediat sllovene u përfol se ishte i përfshirë në aferën e shpërlarjes së 600 mijë eurove, raporton Gazeta Blic.

Gazeta Blic nga burime brenda Qeverisë së Kosovës ka marrë vesh se javën e kaluar ambasadori Berishaj ishte në Kosovë, ku i kishte raportuar ministres Gërvalla.

Megjithatë, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Presidenca e Kosovës vazhdojnë ta mbajnë sekret këtë raportim të ambasadorit Berishaj.

Gazeta Blic u ka dërguar pyetje dy institucioneve në fjalë, por që nuk janë përgjigjur.

Kjo “vizitë” e ambasadorit Berishaj në Kosovë erdhi pas kërkesës për raportim që i kishte bërë presidentja Vjosa Osmani, vetëm një ditë pas publikimit të skandalit në mediet sllovene.

“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, kjo ka qenë kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për Martin Berishaj, më datë 22 prill.

Ndryshe, Televizioni slloven, Planet TV, kishte raportuar se rreth 600 mijë euro në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Berishaj.

EKSKLUZIVE: Martin Berishaj ishte në Kosovë javën e kaluar, raportoi tek Gërvalla- Presidenca e MPJ e mbajnë ‘sekret’

Pas kësaj afere, drejtuesit e institucioneve pos që nuk e kanë marrë asnjë masë ndaj ambasadorit, ata i kanë dalë në mbrojtje Berishajt.

Vjosa Osmani kishte akuzuar edhe mediet kosovare për aferën BerishajPresidentja e vendit, Vjosa Osmani një ditë pas publikimit të skandalit kishte thënë se i beson deklaratës që ai e kishte dhënë në një status në Facebook, ku kishte paralajmëruar padi ndaj medieve sllovene, raporton Gazeta Blic.
“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, kishte theksuar Vjosa Osmani në konferencë për media më datë 22 prill, vetëm një ditë pas publikimit të këtij skandali.

Pos presidentes Osmani, edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti e mbrojti ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Njeriu më i fuqishëm politikisht në Kosovë, Kurti kishte theksuar se raportimet e mediave sllovene, janë të pavërteta.

Nga ajo deklaratë e para dy javëve, Albin Kurti ka zgjedhur heshtjen totale.

Pos Kurtit, ashtu sic edhe pritej, i madh e i vogël nga Vetëvendosje i dolën në mbrotje ambasadorit Berishaj.

Ndërsa, vetë Berishaj pos një reagimi në disa rreshta, nuk ka demantuar thuajse asgjë nga raportimet e mediave sllovene dhe atyre kosovare.

“Shpifjet nuk kalojne! Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, kishte shkruar ai.

Ambasadori Berishaj ka mashtruar edhe institucionet e Kosovës.

Ai në formularin e deklarimit të pasurisë fare nuk i ka deklaruar kompanitë që i ka në Kosovë dhe në Mal të Zi.

Për Gazeta Blic ditë më parë kreu i Agjencisë Anti- Korrupsion, Yll Buleshkaj ka konfirmuar se ka nisut hetimet.

Pavarësisht aferës së publikuar nga mediat në Slloveni dhe mashtrimit në Kosovë, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur heshtjen.