Nga Presidenca kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Presidenca tha për GazetaBlic se janë duke hetuar se kush ka ndërhyrë në atë tekst, ku Jakup Krasniqi është prezantuar si i “akuzuar për krime lufte”.
“Presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi”, tha Presidenca.
Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë në lidhje me këtë çështje.
“Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës”.
Presidenca i ka kërkuar falje familjes së Jakup Krasniqit, teksa thojnë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj.
“I kërkojmë ndjesë z.Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar dhe e sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj”, thanë nga Presidenca për GazetaBlic.