Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falenderuar të gjithë votuesit e partisë që ai drejton, në zgjedhjet e djeshme, raporton Gazeta Blic.
Abdixhiku ka treguar se LDK është fituese në tetë komuna, duke iu uruar kryetarëve të zgjedhur punë të mbarë.
Abdixhiku ka paralajmëruar fuqizimin edhe më tutje të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shkrimi i plotë nga Abdixhiku:
Të dashur qytetarë,
Të dashur mbështetës të Lidhjes sonë,
Rrugëtimi ynë i përbashkët deri në zgjedhjet e 17 tetorit e 14 nëntorit është rrugëtim që do ta mbajmë me vete gjatë. E nisëm të vetëdijshëm për sfidat përpara; po e përfundojmë krenarë dhe kokulur për besimin e marrë nga qytetarët tanë.
LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin. Fitorja në 8 komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë.
Kryetarët e zgjedhur i uroj, dhe ju uroj shërbim të denjë ndaj njerëzve tanë pa dallim. Siç edhe i uroj të gjithë kandidatët e kandidatet tjera, që pavarësisht rezultatit final, dhanë gjithçka, bënë garë të drejtë e kontribuan si një familje e vërtetë në rikthimin e madh. Ky rezultat është i të gjithëve; mbesim një familje, mbesim një shtëpi.
LDK do të vazhdojë punën në rrugën e rigjetur. Me njerëz më shumë, punë më shumë, bashkudhëtim më shumë. Një e ardhme e ndritur na pret përpara. Për këtë të mbetemi të sigurtë.
Në fund, nga zemra, një falenderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm!
I juaji,
Lumiri