Babai i futbollistit Etnik Brruti, Besnik Brruti ka reaguar pas linqimit që iu është bërë djalit të tij, pasi sipas raportimeve, ai ka vendosur t’i bashkohet Shqipërisë.
Brruti ishte kapiten i Kosovës U21, por sipas raportimeve, ai do jetë pjesë e kombëtares A të Shqipërisë në të ardhmen, shkruan GazetaBlic Sport.
Babai i tij, thotë se Brruti nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë.
Më poshtë keni postimin e tij:
“Tradhtarë janë të gjithë ata që i thonë tradhti mbrojtjes së flamurit të Adem Jasharit , Zahirit, Agimit e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri!
Biri im ka marrë një vendim që buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin. Ai nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për kombëtaren Shqiptare, për flamurin me të cilin i kemi mbështjellë dëshmorët tanë.
Kjo nuk është tradhti, por besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar.
Të gjithë ata që sot e gjykojnë duhet ta dinë se askush nuk mund të na japë leksione për atdhedashuri dhe sakrificë për Kosovën. Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim vendimin e Brrutit, i cili me zemër dhe shpirt po ndjek rrugën e tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare.
Për ne, Kosova dhe Shqipëria nuk ndahen, sepse jemi një komb, një gjak dhe një histori”, shkruan Besnik Brruti.
/GazetaBlic Sport


