Rabit Konjufca, xhaxhai i Kryeparlamentarit të Kosovës, Glaukut, është emëruar Këshilltar Politik në Ministri të Mbrojtjes. Përveç emrit dhe detyrës, në web faqen e Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës nuk jepet as një e dhënë tjetër.
Për këtë përgjegjësi të re, Konjufca thotë se nuk ka qenë në dijeni fare djali i vëllait të tij, Glauku.
“Të jesh e bindur që ai për këtë ka dëgjuar prej juve (mediave)”.
Në një intervistë për Albanian Post, Rabit Konjufca ka thënë se nuk e mbanë mend kur e ka takuar Glaukun dhe nuk e mbanë mend nëse ia ka uruar detyrën e re.
“Nuk kam biseduar as që e kam pa Glaukun, s’e mbaj në mend as qe ja kom uruar detyrën e re, në telefon. S’e mbaj mend për herë të fundit kur jemi takuar”.
Si këshilltar Politik Rabit Konjufca tha se e mandatoi vetë Ministri Armend Mehaj.
“Më ka emëruar Ministri. Me Ministrin jam taku, me Ministrin kam biseduar, ja kam shpjeguar karrierën time edhe u krye puna, është punë e Ministrit kjo”, ka thënë Konjufca.
I pyetur se cili do të jetë kontributi i tij në Ministri dhe cilat janë prioritetet e tij, Rabiti ka thënë se ai është “vetëm këshilltar politik”.
Por kjo nuk është puna e tij e parë në Ministri. Rabit Konjufca pka treguar se ai ka shërbyer në Ministri dhe në FSK që nga viti 2000.
“Unë kam punuar në ministri, kam punuar në FSK, prej vitit 2000, në të gjitha proceset kam qenë pjesëmarrës deri më tani, në zhvillimet e institucioneve tona të sigurisë”.
Konjufca thotë se ka qenë i burgosur politik dhe ka dhënë kontribut në forma të ndryshme, ndër vite.
“Në atë sistem kemi vuajtur, kemi qenë të diferencuar, e kemi pas mbiemrin Konjufcë kemi qenë të dënuar, të djegur politikisht, tani pas luftës edhe na kemi nevojë të jetojmë. Unë kam një karrierë brilante profesionale”.
Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar ashpër emërimin e të afërmve të politikanëve në pozita publike. Edhe vetë Albin Kurti gjatë fushatës së fundit, në një tubim me qytetarë, ishte shprehur i habitur se si klasa e vjetër politike punësonte kushërinjtë.
“Kushërinjtë janë për t’i thirrur në dasmë” kishte thënë Kurti, “e jo për t’i punësuar”.
Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit doli padiskutueshëm në vendin e parë. Premtimet kryesore gjatë fushatës ishin lufta kundër-korrupsionit krimit të organizuar dhe largimi i fenomeneve të tilla si nepotizmi nëpër institucionet e Kosovës.