Lajme

Vizitat e Presidentes nëpër komuna, Visar Ymeri: S’është punë e saj

04/06/2022 16:10
nga:Q R

Ish- kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka komentuar turin e Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës nëpër komuna, shkruan Gazeta Blic.

Ymeri në një prononcim për ‘Gazeta Blic’ vlerëson se presidentja nuk ka përgjegjësi të tilla të vizitave dhe se ajo as nuk ka të drejtë ta mbikëqyrë punën e ekzekutivit.

“Mendoj që të dyja këto janë të rëndësishme. Por përgjegjësitë e Presedentes dallojnë nga ato të Kryeministrit në këto fusha. Për sa kohë që Kryeministri ka përgjegjësi ekzekutive që ndërlidhen edhe me investimet që i prekin komunat, të gjitha së bashku e veç e veç, Presidentja nuk ka një përgjegjësi të tillë. Madje ajo as nuk ka të drejtë ta mbikëqyrë punën e ekzekutivit. Në këtë drejtim nuk kam parë një shpjegim të qëndrueshëm të nevojës së këtyre vizitave nga Presidentja tash. Në parim nuk ka gjë të keqe dhe ekziston një praktikë e tillë të cilën e ka praktiku edhe Presidentja Jahjaga”, deklaron ai.

Tutje ai ka thënë se, Presidentja duhet t’u përmbahet nevojave urgjente të shtetit e të cilat, sipas tij, lidhen me politikën e jashtme.

“Sidoqoftë mendoj që vizitat e tilla duhet të jenë tematike. Si dhe Presidentja duhet t’u përmbahet nevojave urgjente e prioritare që i ka shteti e të cilat aktualisht kogja shumë lidhen me politikën e jashtme”, thotë Ymeri.

Presidentja Vjosa Osmani sot ka filluar ciklin e vizitave nëpër komunat e Kosovës. Ajo sot ka qëndruar në Gjilan, ku mori pjesë në disa aktivitete.

/GazetaBlic

Osmani filloi vizitat nëpër komunat e Kosovës