Lajme

Vizitat e Escobar në Kosovë, tregues se marrëveshje finale me Serbinë është afër

10/19/2022 13:22
nga:G B

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron për vizitë në Kosovë.

Vizitat e tij në Kosovë së fundi ja bërë më të shpeshta.

Sot ai u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, në takime ndaras.

Pas takimeve, Escobar ritheksoi partneritetin e palëkundshëm të Kosovës me SHBA-në, derisa foli dhe për dialogun me Serbinë.

Ai tregoi se qëllimi i vizitës së tij është për të gjetur rrugë për thellimin e bashkëpunimit me një vend shumë aleat siç është Kosova.

“Kosova është një aleat shumë, shumë i mirë, një mik i ngushtë i SHBA-ve. Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së nuk bazohet vetëm në interesin e përbashkët por edhe në vlera të përbashkëta. Shpreha mbështetjen e SHBA-së për solidaritetin në kohë krize, por edhe mbështetjen tonë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë agjendë e demokracisë. E falënderoj Kosovën”, tha Escobar pas takimi me Osmanin.

Ndërsa, pas takimit me Kurtin, ai tha se diskutuan “edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë, implikimet rajonale nga dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj”.

Lidhur me vizitën Escobar dhe deklaratat e tij, Ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, thotë për Gazeta Blic se vizitat e tij tregojnë përkushtimin amerikan për Kosovën dhe po ashtu emërimi i Bone dhe Plotner si të dërguar të Macron dhe Scholz tregojnë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi nuk pret shumë.

“Vizitat e shpeshta të emisarit amerikan për rajonin, Escobar janë tregues i saktë i përkushtimit amerikan për Kosovën. Kjo, dhe në anën tjetër vizitat e shpeshta të Lajçak si dhe emërimi i Emanuel Bone dhe Jens Plotner, si të dërguar të Presidentin Macron dhe kancelarit Scholz për t’i dhënë një dinamikë të re dialogut janë, shenjë qartë e konstatimit se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë nuk pret edhe shume kohë”, thotë ai.

Hyseni vlerëson se ka se ka koordinim në mes të SHBA-ve, BE-së dhe të emëruarve të Gjermanisë dhe Francës.

“Po ashtu, duket që ka një koordinim më sistematik midis BE-së, sidomos përmes të dërguarve të Macron dhe Scholz në njërën anë dhe Shtëpisë së Bardhë në anën tjetër, për hapat që duhet bërë në drejtim të përmbylljes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje të përgjithshme”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ai tregon se nga çka varet arritja e një marrëveshje së shpejti.

“Se a do të arrihet te një marrëveshje finale shpejt apo jo varet, nën një, nga vendosmëria e faktorit ndërkombëtar për të ushtruar trysni të duhur te palët dhe nën dy edhe më rëndësishme nga guximi dhe gatishmëria e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për vendime. Rekomandimet amerikane dhe evropiane duhet të përfillen dhe respektohen plotësisht”, deklaron Skender Hyseni për Gazeta Blic.

Universiteti i Prishtinës

Edhe profesori universitar Arben Fetoshi, mendon se vizitat e emisarëve tregojnë vëmendjen e shtuar për arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes finale.

“Shpeshtimi i vizitave të emisarëve për dialogun tregon për vëmendjen e shtuar të faktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë në arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes. Kohëve të fundit kemi parë një angazhim më intensiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që sinjalizon prioritetin e marrëveshjes për shkak të kontekstit të ri që ka krijuar invazioni rus në Ukrainë’, vlerëson ai.

Sipas profesorit, vizitat e Escobar dhe Lajçak lidhen me interesin ëpr mbylljen e procesit të dialogut, duke parë dhe afatet për vitin 2023.

“Nëse kemi parasysh qarkullimin e planeve apo drafteve dhe përmendjen e afateve si ai për vitin 2023, mendoj se vizitat e shpeshta të z. Escobar, z. Lajçak e të emisarëve të tjerë lidhen pikërisht me interesin për një përmbyllje sa më të shpejtë të procesit të dialogut dhe një zgjidhje që do t’i normalizonte marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Fetoshi për Gazeta Blic.

Vizitë të rëndësishme që e konfirmon angazhimin amerikan e sheh edhe analisti Gazmir Raci.

“Vizitë shumë e rëndësishme që rikonfirmon angazhimin amerikan edhe në këtë fazë të dialogut. Kosova dhe SHBA-të ndajnë qëndrimet e njëjta që njohja në qendër është zgjidhja e vetme dhe e qëndrueshme për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, vizitat po bëhen për t’i afruar qëndrimet SHBA-BE me propozimin gjermani-francez.

“Këto vizita po bëhet në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të afruar qëndrimet e të dyja palëve në dialog në bazë të propozimit gjermano-francez. Për Kosovën në këto rrethana të reja gjeopolitike është me rëndësi perspektiva euroatlantike”, deklaron analisti Gazmir Raci.