Lajme

Shukri Buja viziton shpellën e Gadimes: Do të investojmë në infrastrukturë moderne

09/03/2025 11:22
nga:N K

Kandidati i PDK’së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka vizituar shpellën e Gadimes. Ai ka thënë se ajo është një nga mrekullitë natyrore më të rralla që ka Kosova dhe rajoni.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes rrjetit të tij social Facebook, duke thënë së perlë e nëntokës nuk është vetëm pasuri natyrore, por mundësi e madhe për zhvillim ekonomik e turistik për Gadimen dhe gjithë komunën tonë.

“Së bashku me Argjendin, kandidatin tonë për Kuvend Komunal, vizituam Shpellën e Gadimes që është një nga mrekullitë natyrore më të rralla që ka Kosova dhe rajoni. Kjo perlë e nëntokës nuk është vetëm pasuri natyrore, por mundësi e madhe për zhvillim ekonomik e turistik për Gadimen dhe gjithë komunën tonë. Në mandatin e ardhshëm, do të investojmë në infrastrukturë moderne, lidhjen e shpellës me Prishtinën e aeroportin, promovimin e saj në rrjete sociale dhe në tregun ndërkombëtar, si dhe krijimin e guidave profesionale për vizitorë vendorë e të huaj”, ka shkruar Buja.

Tutje ai thotë se shpella e Gadimes do të kthehet në qendër edukimi e shkence.

“Do të mbështesim bujtinat, produktet vendore dhe nismat e ekoturizmit, duke hapur mundësi të reja për bizneset lokale. Shpella e Gadimes do të kthehet në qendër edukimi e shkence, përmes vizitave shkollore, kërkimeve universitare dhe konferencave ndërkombëtare. Këto janë angazhimet tona konkrete për ta bërë Gadimen një destinacion të denjë për t’u vizituar nga turistë nga mbarë bota dhe për të krijuar vende të reja pune për qytetarët e Gadimes”. Ka shkruar ai.