Ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka komentuar vizitën e Zëvendës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma, i cili do të qëndrojë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi deri më 11 janar.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se kjo vizitë është shprehje e përkushtimit ë SHBA-ve për paqen në Ballkan.
“Vizita e zv. Sekretarit Verma është edhe një shprehje e përkushtimit të SHBA-ve për paqen dhe prosperitetin në Ballkan. Kjo ndodhe dy javë përpara ndryshimit të administratës në Shtëpi të Bardhë. Nuk besoj se do të ketë ndonjë iniciativë të re por sigurisht se do të shpreh vendosmërinë e SHBA-ve për suksesin e dialogut”, ka vlerësuar ai.
Lidhur me angazhimin e SHBA-ve në dialog, Arifi thotë se administrata e re do të ketë fokus më të fuqishëm dhe presion për rezultate të shpejta.
“Sa i përket dialogut pas ndërrimit të administratës amerikane e posaçërisht pas zgjedhjeve në Kosovë pritjet janë se fokusi i administratës së re do të jetë më i fuqishëm dhe presioni për rezultate të shpejta dhe konkrete pritet të jetë ndryshimi i qasjes”, ka deklaruar Avni Arifi./Gazeta Blic/
Verma për vizitën në Shqipëri, Kosovë e Serbi: Do ta riafirmojë angazhimin e ShBA-së për Ballkanin