Lajme

Vizita e presidentes Osmani në Gjermani, vendimi për arsimin e lartë publik pa pagesë dhe arrestimi i fajdexhinjve – top lajmet e javës

09/18/2021 09:46
nga:M K

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani javën që po lëmë pas ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Gjermani, ndërsa në takimin me përfaqësues të kompanive gjermane nga fusha e teknologjisë së informacionit, industrisë dhe energjisë ka thënë se Kosova është e gatshme të jetë adresa e investimeve nga këto kompani.

Po javën që po lëmë pas kryeministri Albin Kurti është takuar me kancelaren Angela Merkel në Tiranë, në kuadër të vizitës së saj në rajon.

Kosovën gjatë kësaj jave e ka vizituar i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Të premten, më 17 shtator, kryeministri i vendit bëri të ditur se arsimi i lartë publik në nivelin Bachelor dhe Master do të jetë pa pagesë, ndërkaq nga Policia e Kosovës u njoftua se janë arrestuar tetë persona për fajde.

Presidentja Osmani: Kosova është e gatshme të jetë adresa e investimeve nga Gjermania

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, javën që lamë pas ka vizituar Gjermaninë me ftesë të presidentit Frank-Walter Steinmeier dhe është pritur me nderimet më të larta shtetërore.

Në takim me homologun Steinmeier, Osmani e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme dhe është angazhuar për thellimin e marrëdhënieve.

Më tej ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, ka theksuar Osmani.

Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.

Presidentja tutje ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman.

Më tej, Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.

Ajo ka takuar edhe përfaqësues të kompanive gjermane nga fusha e teknologjisë së informacionit, industrisë dhe energjisë, ndërsa është shprehur se Kosova është e gatshme të jetë adresa e investimeve nga Gjermania.

Takimi i Kurtit me kancelaren gjermane, Angela Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel shtrëngoi duart me liderët e rajonit të cilët erdhën në Tiranë në kuadër të vizitës së saj, të martën, më 14 shtator.

Në kuadër të kësaj vizite, edhe kryeministri Albin Kurti u takua me kancelaren Merkel, ndërkaq pas takimit ka thënë se duhet të bëhet presion mbi Serbinë pasi po i bënë probleme Kosovës.

“Ju kam shkruar letër të gjitha qeverive evropiane ku kam renditur 11 shkeljet që po i bënë Serbia me barriera sistematike dhe periodike. Unë po pres ndryshe dhe reciprociteti do të vendoset, nuk bën ndryshe . S’ka barazi pa reciprocitet”, deklaroi Kurti para gazetarëve.

Kurti ka thënë se në pranverë doganat e kanë drejtorin e ri dhe sipas tij do të zbatohet reciprociteti.

“Me ministren Hajdari dhe me doganat tona që këtë pranverë e kanë drejtorin e ri, po përgatitemi ta zbatojmë me sukses reciprocitetin. Deri më tani asnjë qeveri nuk ka zbatuar reciprocitet. Ne kur ta zbatojmë reciprocitetin nuk guxojmë të dështojmë”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se reciprociteti është përfshirë te të drejtat e pakicave.

“Në Ballkan ka disbalancë të pakicave. Serbët ne Kosovë kanë të drejta ekskluzive derisa në Preshevë shqiptarëve ua pasivizojnë adresat dhe i çregjistrojnë”.

Ai tha se është detyrë e çdo shqiptari që të tregojë se mbi kë duhet të bëhet presioni për raportet mes dy vendeve.

Ai konfirmoi gjithashtu se Kosova është dukë bërë përgatitje për padinë për gjenocid ndaj Serbisë të cilën e kishte premtuar.

Lajçak gjatë vizitës në Kosovës flet për arkivat: Nuk ka asgjë befasuese

I dërguar i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar një vizitë treditore në Kosovë, ku ka takuar krerët e shtetit dhe kryetarët e partive politike në vend.

Lajçak para medieve e quajti keqkuptim çështjen e arkivave që ishte përmendur nga zëvendësministri Besnik Bislimi.

I dërguari i BE-së tha se çështja e hapjes së arkivave nuk është diçka e re, por se Bislimi ka bërë të ditur që nuk ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiva shtetërore të Kosovës.

“Nuk ka pasur diskutime specifike për arkivat, kam qenë i befasuar me atë sa i nxehtë ka qenë diskutimi këtu në media. Ka pasur rikonfirmim i asaj që është thënë edhe më herët disa herë se nuk do të ketë pengesa nga palët për të pasur kyçje në arkiva kjo është çfarë është thënë edhe para një viti. Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se nuk ka arkiva të UÇK-së, por vetëm arkiv shtetërore të Kosovës. Nuk ka asgjë befasuese, nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, që disi është keqkuptuar në shoqërinë tuaj”, tha Lajçak.

Një datë e re për takim në Bruksel është diskutuar gjatë këtij takimi, por Lajçak tha se e njëjta nuk mund të bëhet publike pasi që duhet të diskutohet edhe në Beograd për datën.

Nga 1 tetori, arsimi i lartë publik në nivelin Bachelor dhe Master do të jetë pa pagesë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se nga 1 tetori, duke filluar nga viti akademik 2021/22 arsimi publik në nivelin Bachellor dhe Master do të jetë pa pagesë, ndërsa në studimet e Doktoraturës do të ketë lehtësime.

Kurti këtë deklaratë e bëri të premten në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Nga 1 tetori i këtij viti, duke filluar nga viti akademik 2021/22 arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master. Ndërsa, për studentët e doktoraturës do të ketë lehtësime të veçanta”, tha ai.

“Sistemi arsimor publik duhet të mbështetet në parimin e solidaritet shoqëror. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor”, tha ai.

Policia godet fajdexhinjtë: Tetë të arrestuar në Pejë, Gjakovë dhe Prizren – u konfiskohen mbi 100 mijë euro dhe tri vetura

Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri raste të ndara, në tri rajone, ka arrestuar tetë persona nën dyshimin e bazuar të kryerjes së veprave penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatën përkatëse, pas hetimeve intensive të kryera ndaj të dyshuarave të përfshirë në veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, më 15.09.2021, 16.09.2021 dhe 17.09.2021 në tre raste të ndara, në tri rajone Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ka realizuar operacione policore ku janë arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar.

“Në këto operacione policore janë arrestuar H.T., (1967), A.V.(1964), A.Ç. (1979), Rr.B.(1971), B.M. (1966), E.M. (1990), B.M. (1981) dhe S.M. (1970)”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, në tri rajone, në gjithsej tetë lokacione, janë bërë kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave materiale që lidhen me rastet”.

Sipas Policisë, gjatë operacioneve janë sekuestruar 44,150 euro para kesh, në llogaritë e të dyshuarave janë ngrirë mbi 61,000 euro, dy revole, një pushkë e gjuetisë, 106 fishekë (kalibra të ndryshëm), tri vetura, fletore dhe dokumente të ndryshme relevante për rastet dhe shtatë telefona.

Të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/