Lajme

Vizita e ndihmësadministratores së USAID-it në Kosovë, a kishte takim me kryeministrin Kurti?

03/06/2024 12:17
nga:N K

Ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee gjatë këtyre ditëve ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ndihmësadministratorja e USAID-it gjatë vizitës në Kosovë është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe më pas kanë mbajtur një konferencë për media.

Ndërkaq, nga ajo që është bërë publike deri më tani nuk ka pasur ndonjë takim të McKee me kryeministrin e vendit.

Telegrafi i ka shkruar Kryeministrisë për të marr një deklaratë lidhur me atë nëse ka pasur takim ndërmjet ndihmësadministratores së USAID-it dhe Kurtit, por deri në këto momente nuk ka marr përgjigje.

Pas takimit që ka pasur me presidenten Osmani, McKee në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të veçanta”, përkushtimi ndaj Kosovës mbetet i palëkundur.

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të veçanta, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka thënë McKee.

Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin ka thënë se është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike.

“E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Siç kemi bërë në 25 vitet e fundit, USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritet me Kosovën për të siguruar që momenti drejt kësaj të ardhme të mos lëkundet, por të përshpejtohet dhe përfundimisht të vazhdojë”, ka deklaruar McKee.

Ndërsa, presidentja Osmani ka thënë se kontributi i UASID-it përgjatë më shumë se dy dekadash në vend, është një shembull i fuqishëm i përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për të ndihmuar Kosovën në rrugën drejt sukseseve të reja.

Osmani ka bërë të ditur se USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrah popullit të Kosovës duke investuar mbi 1 miliardë dollarë në zhvillimin e vendit, sipas saj, bashkë me projektet e tjera të Qeverisë amerikane, investimet totale arritën diku në shifrën e 1 miliardë dollarëve.

“Bashkëpunimi me USAID-in reflekton partneritetin tonë me ShBA-të. Një partneritet i ndërtuar me besim të ndërsjellë të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëllimi ynë i përbashkët.

Një Kosovë më e fortë e zhvilluar, gjithëpërfshirëse dhe e integruar në institucionet euroatlantike.

Në përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrahë shtetit tonë duke investuar mbi 1 miliardë dollarë në Republikën e Kosovës e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrin diku në 2 miliardë dollarë”, ka thënë presidentja.

Lidhur me vizitën e McKee në Kosovë ka shkruar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

“Kënaqësi të presim Ndihmësadministratorja e USAID-it McKee dhe gratë lidere kosovare mbrëmë për të festuar përparimin në avancimin dhe fuqizimin e grave në Kosovë…”, ka shkruar Hovenier.

Ndërkaq, vetë MccKee në një postim në X lidhur me vizitën e saj në Kosovë shkruan “Gjatë udhëtimit tim në Prishtinë, të rinjtë e etnive të ndryshme ndanë me mua perspektivat e tyre për të ardhmen multietnike të Kosovës – dhe vizionet e tyre frymëzuese…”.