Pas vizitës së sotme në Serbi, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, do të qëndrojë të martën në Kosovë.
Ai pritet të takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, derisa nuk dihet nëse do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Lidhur me pritjet e vizitës së tij në Kosovë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, nuk shprehet optimist për ndonjë ndryshim të madh, derisa thotë se vizita e tij pritet me interes të madh.
“Ne si shtet e presim vizitën e Lajçakut me interes të madh, por nisur nga takimet dhe zhvillimet e fundit nuk jam shumë optimist për ndonjë ndryshim të madh”, thotë ai.
Agusholli vlerëson se parakusht për dialog të mëtejshëm duhet të jetë vendosja para drejtësisë e sulmuesve të Banjskës, pasi dinari e targat s’mund të jenë më të rëndësishme.
“Unë mendoj që vendosja para drejtësisë e sulmuesve të Banjskës duhet të konsiderohet si parakusht për zhvillimin e mëtutjeshëm të dialogut. Nuk mund të jenë çështjet sekondare si paraja, dinari e targat më të rëndësishme se sa cenimi konstant i sigurisë”, thekson deputeti për Gazeta Blic.
Ai potencon se nëse këto nuk janë në agjendë të BE-së, vizitat nuk janë serioze.
“Nëse këto nuk janë në agjendën e BE-së, unë nuk do t’i konsideroja serioze këto vizita e takime. Shpresojmë të na surprizojnë për të mirë”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/