Kryeministri i Kosovës ka qëndruar për vizitë në SHBA për 16 ditë.
Atje ai ka zhvilluar takime të shumta. Por, kritika të shumta mori nga opozita e analistë të ndryshëm, pasi Kurti nuk zhvilloi takime të nivelit të lartë, në Shtëpinë e Bardhë apo Departamentin e Shtetit.
E vizitën e kryeministrit Kurti në SHBA, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, e sheh si një lloj mjegulle, pasi nuk kishte agjendë të publikuar qysh në fillim.
“Pa asnjë dyshim, secila vizitë e drejtuesve shtetëror ka peshë të veçantë në ShBA, por, po aq me peshë është dhe niveli i zyrtarëve që të presin në takim. Kjo vizitë, padyshim kishte një lloj mjegulle ngase nuk kishte një agjendë të publikuar që më parë. Nuk duhet harruar, në demokracitë parlamentare qytetarët janë aksionarë në qeveri, andaj transparenca është e domosdoshme nga kushdo qoftë në drejtim shtetëror”, thekson ai për Gazeta Blic.
Pula vlerëson se vizita duket të ketë qenë e ndarë tek bizneset e korporatat amerikane dhe takimet me senatorë e kongresmenë, por që nuk kishte me vete ministra dhe se ato dukeshin më shumë si njohje ndërpersonale.

“Qysh në nëntor të 2021-tës, është përfolur për vizitën zyrtare të kryeministrit Kurti në Washington, pas atyre vizitave që bëri në Vjenë, Bruksel e Paris. Më pas, u tha që vizita në Amerikë do të realizohet përgjatë pjesës së parë të 2022-tës. Tash kjo vizitë dy javore në ShBA, nga publikimet e fotografive dhe videoxhirimeve, duket të ketë qenë e ndarë ndërmjet vizitave tek biznese e korporata amerikane transnacionale por që çuditërisht kryeministri nuk i kishte me vete ministrat e sektorëve dhe takimet me senatorë e kongresmenë të ShBA-ve, e që fillimisht kanë të bëjnë me një njohje ndërpersonale, informim të dyanshëm mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe ShBA-ve”, thekson ai.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare shton për Gazeta Blic se pritjet kanë qenë të mëdha për takimet e tij, derisa thekson se nuk ka pasur informacione se me kë ka pasur takime apo kanë dështuar ndonjë nga takimet ose nëse ka dështuar koordinimi i stafit të brendshëm, për t’i organizuar takimet me udhëheqësit e Departamentit të Shtetit apo Shtëpisë së Bardhë.
“Ne, si qytetarë nuk kemi parë asnjë agjendë zyrtare të bërë publike lidhur me takimet, e rrjedhimisht nuk kemi qenë në dijeni se kryeministri ynë kë do ta takojë, përpos bërjes publike të atyre fotografive dhe videoxhirimeve nga vizitat dhe takimet e realizuara. Prandaj dhe, ne, nuk kemi qenë fare në dijeni nëse ka pasur të planifikuar takime apo ka dështuar koordinimi i stafit të brendshëm, për t’i organizuar takimet me udhëheqësit e Departamentit të Shtetit apo Shtëpisë së Bardhë, përkundër se, kërshëria ka qenë e madhe në pritje të takimeve të niveleve të tilla”, deklaron Pula./Gazeta Blic/


