Lajme

Vizita e Kurtit në SHBA, Ahmeti: Humbje kohe nëse nuk ka takime në Shtëpinë e Bardhë

05/09/2022 16:28
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës katër ditë më parë.

“Gjatë qëndrimit në ShBA, kryeministri do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan”, thuhet në njoftimin e Qeverisë pas nisjes së vizitës së Kurtit.

E në ditën e parë të vizitës në SHBA, kryeministri u takua me Kryeshefen e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, si shënim i fillimit të negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, projekt që kalon shumën e 200 milionë dollarëve dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Ai nga Washington DC ka udhëtuar drejt San Francisco, ku ka njoftuar se do të takohet me profesionistë e drejtues të IT-së.

Për vizitën e kryeministrit Kurti në SHBA dhe takimet e deritanishme, për Gazeta Blic ka folur njohësi i çështjeve politike, Arben Ahmeti.

Sipas tij, nëse kryeministri dhe presidentja nuk realizojnë takime në Shtëpinë e Bardhë, është humbje kohe.

“Po pres që presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti të qëndrojnë në departamentin e shtetit ose Shtëpinë e Bardhë. Mosrealizimi i ndonjë prej këtyre qëllimeve është humbje kohe”, ka thënë Ahmeti për Gazeta Blic.

Në anën tjetër, në SHBA po qëndron për vizitë edhe presidentja Vjosa Osmani, ku ka zhvilluar disa takime./Gazeta Blic/