Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të qëndrojë nesër për vizitë në Kosovë.
Ai do ta vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut e Serbinë.
Përpos tij, në Kosovë gjatë këtij muaji do të ketë vizita edhe nga emisarë e diplomatë amerikanë e evropianë.
Lidhur me këto vizita, mesazhet dhe ndërlidhjen e tyre me dialogun me Serbinë, për Gazeta Blic ka folur zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
Ai mendon se me tensionet në veri, po shtohen përpjekjet për stabilizim të situatës, ndërsa që njohja reciproke po zhvendoset në qoshe.
“Sa më e tensionuar gjendja në veri, aq më shumë përpjekjet për ta stabilizuar gjendjen po vendosen në qendër të angazhimeve të gjithanshme, kurse për rrjedhojë njohja reciproke po zhvendoset pandalshëm në qoshe mospërfillëse”, thotë ai.
Sipas Abdullahut, Serbia vazhdimisht kërkon gjëra që mos ta normalizojë situatën në veri dhe duke nisur nga këto, është vështirë të besohet se marrëveshja në mes të dyja vendeve mund të arrihet në mars.
“Sigurisht se Serbia për ta forcuar ‘status quon’ si refuzim për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme është e interesuar që situata në veri të mos normalizohet. Nisur nga këto rrethana të reja por regresive, të cilat Qeveria Kurti nuk po i lexon drejtë, është e vështirë të besohet se marsi është muaji ku mund të arrihet marrëveshja”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Zëdhënësi i PDK-së shton se duhet përshëndetur angazhimi i SHBA-ve dhe BE por që vlerëson se Qeveria nuk ka transparencë në dialog dhe sipas tij, kjo arrogancë po e pengon edhe konsolidimin për t’u përballur suksesshëm me Serbinë.
Sigurisht se intensiteti i angazhimit të përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-së në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi është për tu përshëndetur dhe i mirëseardhur. Mirëpo, në anën tjetër një nga karakteristikat e takimeve të fundit në procesin e gjatë të dialogut Kosovë Serbi është mungesa e transparencës nga Qeveria Kurti. Kjo arrogancë e papranueshme për rrjedhojë po determinon sa konfuzion, aq edhe po pengon konsolidimin e radhëve tona si tërësi për t’u përballur suksesshëm me Serbinë”, deklaron Faton Abdullahu./Gazeta Blic/


